Siguria Mjedisore
Siguria mjedisore mungon në Shqipëri. Janë provuar disa raste, nga autoritet e huaja dhe agjensi si Rrjeti i Bazelit, që nga territori ynë – nga Porti i Durrësit – është kryer trafik ndërkombëtar ilegal i mbetjeve të rrezikshme ose toksike. Autoritetet nuk mbajnë përgjegjësi. Nuk ka transparencë: ku u gjeneruan këto mbetje shumë të rrezikshme për shëndetin dhe mjedisin, dhe pse u lejua trafikimi i tyre? E kam ndjekur me shumë vëmendje këtë çështje dhe kam bërë disa denoncime. Qeveria gjithnjë ja hedh fajin të tjerëve, edhe pse është tërësisht përgjegjësi e saj.
Në mënyrë të veçantë, qyteti i Tiranës po përballet me ndotje alarmante të ajrit, e cila përbën rrezik të përditshëm për shëndetin e banorëve, sidomos të fëmijëve dhe të moshuarve. Ky është një tregues i mungesës totale të një politike serioze për sigurinë mjedisore në kryeqytet dhe në gjithë vendin.
Siguria Mjedisore, ashtu sikurse Siguria Ushqimore, janë për mua njësoj të rëndësishme si Siguria Kombëtare. PD do të ketë një platformë për të mos lejuar më mbetje toksike e trafikim të tyre në territorin tonë. Unë do të jem gjithnjë një zë në mbrojtje të Mjedisit, të Shëndetit, të Jetës.
PD do të ndërmarrë akte dhe nisma ligjore për t’i ofruar qytetarëve të Tiranës dhe gjithë Shqipërisë garanci mjedisore.