Siguria Ushqimore
Siguria ushqimore në Shqipëri është në një gjendje kritike. Çdo ditë dalin në pah denoncime nga qytetarë, media dhe ekspertë për produkte të rrezikshme që qarkullojnë në tregun tonë. Ushqimet që konsumojmë janë shpesh burim sëmundjesh, dhe kjo situatë është kthyer në një rrezik serioz për shëndetin publik.
Si qytetar, si prind, por tashmë edhe si politikbërës, nuk mund të qëndroj indiferent ndaj këtij problemi. Nuk ka asgjë më të rëndësishme se siguria e ushqimeve që konsumojnë fëmijët tanë, familjet tona. Fatkeqësisht, institucionet që duhet të garantojnë këtë siguri, si AKU, kanë dështuar në mënyrë të përsëritur. Ato nuk veprojnë në kohë, nuk informojnë publikun dhe shpesh injorojnë sinjalizimet nga partnerët ndërkombëtarë. Kjo është papërgjegjshmëri dhe abuzim me detyrën.
Ne besojmë se siguria ushqimore është pjesë e sigurisë kombëtare. Prandaj, do të angazhojmë profesionistët më të mirë dhe do të ndërtojmë një platformë të re ligjore dhe teknike, e cila do të sigurojë kontroll dhe analizë sipas standardeve europiane. Shqipëria meriton të ketë të njëjtën cilësi dhe garanci si vendet fqinje, si Greqia, Italia apo Kroacia.
Për një të ardhme më të shëndetshme dhe më të sigurt, siguria ushqimore do të jetë një prioritet absolut.