Home / Njihu me Grigelsin
Kam lindur në qytetin e Korçës në vitin 1983. Jetoj në Tiranë që prej vitit 1998. Jam i martuar dhe jam baba i dy fëmijëve, një djali dhe një vajze.
Kam kryer studimet në Fakultetin e Ekonomisë, në Universitetin e Tiranës, në degën Manaxhim Biznesi.
Prej vitit 2012, drejtoj një kompani të fokusuar në fushën e botimeve dhe komunikimit.
Kam qënë mjaft aktiv që prej kohës sime të gjimnazit, si pjesë e debateve në forumet rinore. Më tej, kam qënë krah studentëve si pjesë e Qeverisë Studentore, duke qënë zëri i tyre në këtë strukturë.
Kam qënë pjesë e nismave të ndryshme të shoqërisë civile, duke veçuar protestën kundër armëve kimike, por jo vetëm.
Rrugëtimin tim në Partinë Demokratike e kam nisur që në moshën 17-vjeçare. Jam rritur me vlerat e saj – lirinë dhe të drejtat, dinjitetin njerëzor, konkurrencën e ndershme, dashurinë për familjen dhe kombin. Partia Demokratike ka ecur gjithmonë mes sfidave, me uljet dhe ngritjet e saj, por ka ditur t’u shërbejë vendit dhe qytetarëve.
Si një familje politike, kemi ndarë së bashku momente gëzimi dhe sfida të vështira. Arritjet më të mëdha të Shqipërisë mbajnë vulën e Partisë Demokratike – anëtarësimi në NATO, lëvizja e lirë pa viza, transformimi në infrastrukturë dhe reformat që e afruan vendin tonë me Perëndimin.
Ky rrugëtim ka nisur me miq, me pasion dhe përkushtim.Ka filluar qe nga ngjitja e posterave, organizimi i takimeve dhe protestave, deri te komunikimi derë më derë me qytetarët. Hap pas hapi, me përgjegjësi të shtuar dhe gjithmonë duke iu nënshtruar vullnetit dhe votës së demokratëve.
Sot, ndjej krenari që kam qenë pjesë e kësaj rruge dhe me mbështetjen që mora në Primare, është momenti për të hedhur një hap më tej. Dua ta përfaqësoj me dinjitet Partinë Demokratike dhe të luftoj për ato vlera për të cilat kemi qëndruar së bashku: një qeverisje të mirë, vendosjen e qytetarit dhe interesave të tij në qendër të politikës.
Besoj se politika duhet të krijojë mundësi reale për një jetë më të mirë për të gjithë, pa dallime apo preferenca. Më 11 Maj, së bashku, do të sjellim ndryshimin që Shqipëria e meriton dhe që qytetarët e presin!