Platforma “Bëhu pjesë” është mënyra ime për të qëndruar në kontakt të vazhdueshëm me ju edhe pas fushatës. Duke u regjistruar, ju do të keni mundësi të shprehni mendimin tuaj për ligjet dhe vendimet që do të marr në Kuvend. Nëpërmjet komunikimit dhe polleve unë do të marr mendimin tuaj.
E kam nisur rrugëtimin tim në Partinë Demokratike, 17 vjeç. Jemi rritur në këtë forcë politike, me vlerat e saj, si liria e të drejtat, dinjiteti i njeriut, konkurenca e ndershme, dashuria për familjen e për kombin.
Unë besoj në një të ardhme ku çdo qytetar shqiptar jeton me dinjitet, barazi dhe prosperitet. Si kandidat i Partisë Demokratike, përkushtohem të ndërtoj një shoqëri të drejtë, ku vlerat demokratike dhe mirëqenia e të gjithëve janë në qendër të çdo vendimi.
Nuk ka qytet më të dashur për mua se Tirana. Këtu erdha si gjimnazist e sot po rris dy fëmijët e mi. Kryeqyteti ka pritur me dashuri dhe u ka dhënë mundësinë të gjithëve.
Pushteti ka abuzuar dhe sot Tirana ka ajrin më të ndotur, ka shumë pak hapësira për fëmijët e të moshuarit, nuk furnizohet me ujë gjatë 24 orëve. Fushat e sportit u kthyen në pallate. Besimin që qytetarët u dhanë kryebashkiakëve, ata e kthyen në projekt për ambicien e tyre personale, për të shtuar pasurinë e pushtetin, për të bërë trafik influence me qëllim marrjen e partisë nga vinin. Ky model duhet përmbysur.
Tirana ka shumë probleme të përditshme që meritojnë të trajtohen 24 orë pa ndalim. Qyteti ku u rritëm po humb identitetin dhe tani është shndërruar në trillin personal me kulla të larta të Kryeministrit. Në Bashki, u zbuluan aferat e rënda financiare të inceneratorit dhe ajo 5D. Trojet dhe godinat publike, disa emblematike dhe deri stadiumet, po u jepen miqve të Kryeministrit, për t’u shndërruar në rrokaqiej biznesi.
Tirana sot ofron ndjenjë pasigurie, ankthi dhe stresi për çdo shtresë. Pasiguri për të varfërit, pasiguri për çmimet që rriten dita-ditës, pasiguri për të rinjtë që nuk kanë mundësi të strehohen, pasiguri për prindërit se ku do t’i shkollojnë fëmijët, pasiguri për përkujdesin mjekësor, pasiguri për ushqimin që konsumojmë.
Kjo nuk duhet të jetë Tirana jonë. Edi Rama dhe Erion Veliaj nuk mund të vazhdojnë të jenë pronarët e qytetit. Ata jemi ne!
Me reagimin tonë duhet ta ndalim këtë projekt duke votuar më 11 Maj, përpara se të mos e njohim më qytetin dhe të mos ndihemi të huaj në vendin tonë.